Një grup prej rreth 60 taksistësh kanë zhvilluar një protestë këtë të martë para godinës së Bashkisë së Sarandës, duke kundërshtuar atë që ata e konsiderojnë si ushtrim të paligjshëm të aktivitetit të transportit të pasagjerëve. Përfaqësuesi i tyre, Altin Cumani, dorëzoi një kërkesë zyrtare ku kërkohet ndërhyrja e autoriteteve vendore për të ndaluar mjetet që operojnë pa licencën përkatëse.
Sipas protestuesve, problematikë mbetet prania e taksive nga qytetet e Tiranës, Konispolit, Delvinës dhe Finiqit, si dhe përdorimi i furgonave të agjencive turistike për shërbime taksie. Ndër kërkesat e tjera të renditura në dokument janë:
• Vendosja e parkimeve të përcaktuara për taksitë.
• Mbrojtja e vendparkimeve aktuale nga Policia Bashkiake.
• Vënia në funksion e terminalit të autobusëve.
• Kontrolli i mjeteve që operojnë me targa të bardha.
Gjatë protestës u shënua një moment tensioni kur një grup shoferësh tentoi të hynte në institucion, por u pengua nga forcat e policisë, duke shkaktuar përplasje verbale. Megjithatë, situata u normalizua pasi kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, pranoi të zhvillonte një takim me përfaqësuesit e taksistëve për të diskutuar shqetësimet e parashtruara.