Nga data 1 janar 2026, faturat e ujit në Kosovë do të jenë më të larta pas vendimit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për rishikimin trevjeçar të tarifave.
Zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, shpjegoi se ujësjellësit kanë paraqitur kërkesë për rritje për shkak të kostos së lartë të trajtimit të ujit, shpenzimeve operative, investimeve në mirëmbajtjen e infrastrukturës së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Pas analizave të kryera nga autoriteti rregullator, tarifa vëllimore për shërbimet e ujit rritet nga 0.44 cent në 0.63 cent. Për shërbimet e ujëreve të zeza, tarifa vëllimore për sektorin shtëpiak fiksohet në 12 cent.
Sa i përket rritjes së çmimit të energjisë elektrike në muajin mars, Arjeta Mjeku deklaroi se nuk ka ende informacion zyrtar. Ajo theksoi se çështjen mund ta trajtojë vetëm Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, i cili përcakton tarifat e shërbimeve të ujit dhe kanalizimit.