Ismail Tasholli, përfaqësues i platformës Liria ka Emër, foli në marshin “Drejtësi, jo politikë” të mbajtur më 17 shkurt në Prishtinë, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Marshi mblodhi mijëra deri në qindra mijëra qytetarë, sipas burimeve të ndryshme, të cilët kërkonin drejtësi të paanshme për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të mbajtur në Hagë.
Tasholli falënderoi qytetarët, personalitetet dhe kategoritë e shoqërisë për mbështetjen ndaj kauzës. Ai dërgoi një mesazh të qartë për Hashim Thaçi-n, Kadri Veseli-n, Rexhep Selimi-n, Jakup Krasniqi-n dhe të tjerët: “Ju nuk jeni vetëm. Pas jush qëndron një popull i tërë, historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë”.
Ai theksoi se kur flitet për UÇK-në, nuk ka ndarje partiake apo postesh. “UÇK nuk është flamur partie, është themel i lirisë sonë”, tha Tasholli. Gjatë organizimit të marsht me Elizën, në çdo fshat e qytet emri i UÇK-së u përmend me respekt e dashuri si simbol sakrifice dhe identiteti kombëtar.
Tasholli kritikoi proceset gjyqësore në Hagë, duke thënë se drejtësia nuk mund të jetë selektive apo e dirigjuar. “Drejtësia të mos e barazojë viktimën me agresorin dhe të mos mjegullojë karakterin çlirimtar të luftës”, deklaroi ai. Sipas tij, nëse gjyqi pretendon se vepron “në emër të popullit të Kosovës”, por devijon nga parimet e barazisë e paanshmërisë, qytetarët kanë të drejtë të thonë: “Jo në emrin tim, jo në emrin tonë”.
Ai përmendi vuajtjet nga agresioni serb nën Sllobodan Millosheviq, si vrasjet, dëbimet e shtëpitë e djegura, për të theksuar nevojën për kujtesë e dinjitet në Ditën e Pavarësisë.