Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur një proces shqyrtimi për mundësinë e rikthimit të penalitetit prej 10% për subjektet që nuk paguajnë në afat këstet paraprake të tatim-fitimit. Kjo masë ishte hequr nga data 1 janar 2023 si një lehtësi fiskale për sipërmarrjen.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të ardhurat nga tatim-fitimi ishin 31 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 2.2 miliardë lekësh ose 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Administrata tatimore vlerëson se kjo rënie nuk reflekton situatën reale të bizneseve, pasi tregues të tjerë fiskalë tregojnë ecuri pozitive:
• Të ardhurat neto nga TVSH arritën në 120.7 miliardë lekë, me një rritje prej 10.6%.
• Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arritën në 99.6 miliardë lekë, me një rritje prej 13.3%.
Aktualisht, bizneset që vonojnë këstet e tatim-fitimit ndëshkohen me një gjobë ditore ditore prej 0.06% të detyrimit të papaguar, deri në një limit prej 365 ditësh. Zyrtarët tatimorë dyshojnë se heqja e penalitetit fiks prej 10% ka ndikuar që shumë subjekte të shtyjnë shlyerjen e kësteve për të mbajtur likuiditetin në dispozicion. Analiza e situatës po vijon dhe pritet që një vendim përfundimtar të merret brenda muajit shtator.