Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), deklaroi se institucionet korrektuese ndodhen në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës. Kjo marrëveshje parashikon shfrytëzimin e Burgut të Gjilanit nga shteti danez.
Në emisionin Debat Plus, Dibrani bëri të ditur se ka përfunduar faza e parë e trajnimit të stafit korrektues. Një grup tjetër i stafit pritet të dërgohet për trajnim në Danimarkë, në përputhje me sistemin dhe rregullat e funksionimit të burgjeve daneze.
Ai theksoi se menaxhimi i burgut do të realizohet përmes një bashkëqeverisjeje ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës. Rreth 220 oficerë korrektues do të jenë nga Kosova, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të përbëhet nga personel danez. Guvernatori do të jetë danez, ndërsa drejtori shqiptar.
Dibrani u shpreh: “Jemi në fazën e fundit. Grupi i parë i trajnimit të stafit veç ka përfunduar. Pritet që grupi tjetër të fillojë trajnim në Danimarkë, sipas sistemit dhe rendit shtëpiak danez atje. Dhe kështu prilli i vitit 2027, do të jetë muaji kur pritet të vendosen të burgosurit e parë.”