Të gjithë 63 minatorët që kishin mbetur të bllokuar në horizontet e minierës në Stantërg kanë arritur të dalin nga nëntoka. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku, i cili deklaroi se të gjithë minatorët gëzojnë shëndet të mirë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 19:30, kur një defekt në sistemin e furnizimit me energji elektrike shkaktoi bllokimin e punëtorëve. Problemi erdhi si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një dëmtimi në trafostacionin e tunelit të parë. Mungesa e energjisë detyroi një pjesë të minatorëve të shfrytëzonin daljet dhe shkallët emergjente për të dalë në sipërfaqe.
Procesi i evakuimit ishte sfidues për disa prej minatorëve, për shkak të moshës dhe vështirësive fizike që paraqet rruga emergjente. Një prej minatorëve tregoi se gjatë qëndrimit në nëntokë, punëtorët përballeshin me vështirësi në frymëmarrje, panik dhe stres, duke u detyruar të pushonin në çdo horizont përpara se të vazhdonin daljen.