Së paku 64 rrugë ilegale në veri të Kosovës, që çojnë drejt vendbanimeve kufitare në Serbi, në zonat e Novi Pazarit dhe Rashkës, vazhdojnë të jenë të kalueshme më shumë se tre vjet pas sulmit në Banjskë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, ato përdoren kryesisht për kontrabandimin e mallrave dhe për të shmangur pikat zyrtare kufitare e doganën.
Përmes këtyre rrugëve hyjnë në Kosovë materiale ndërtimore dhe produkte ushqimore, përfshirë pije, fruta, perime e mish, si dhe cigare, veshmbathje, stoli, parfume, pajisje elektrike e produkte farmaceutike. Aksioni i fundit i madh i institucioneve të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave u zhvillua më 22 tetor, në disa lokacione në veri. Gjatë tij, 10 persona u shoqëruan për intervistim dhe u sekuestruan mallra me vlerë mbi 200 mijë euro.
Sipas autoriteteve të Kosovës, rrugët alternative janë përdorur edhe për të futur ilegalisht nga Serbia sasi të mëdha armësh, të cilat u përdorën në sulmin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. Aktakuza për rastin e përmend këtë përdorim. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Pas sulmit, Policia e Kosovës kishte deklaruar se kishte mbyllur më shumë se 20 rrugë alternative që lidhin Kosovën me Serbinë. Megjithatë, rrugë të reja hapen vazhdimisht dhe, sipas Veton Elshanit, i cili tani drejton Policinë Kufitare, është e pamundur të mbyllen të gjitha. Elshani, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, tha: “Nuk mund të ndërtojmë një mur kinez në kufirin me Serbinë”.
Rrugët u përdorën edhe për tërheqjen e grupit të armatosur prej rreth 45 personash pas sulmit. Shumica e tyre, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në liri. Drejtësia e Kosovës ka dënuar tre serbë lidhur me rastin: Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, të arrestuar gjatë sulmit, si dhe Dushan Maksimoviq, i arrestuar më vonë.
Raporti i Policisë së Kosovës për vlerësimin e kërcënimit nga krimi i organizuar, i vitit 2025, përmend rrugë alternative ose ilegale të përdorura për kontrabandë edhe pranë kufijve me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Raporti thotë se zona kufitare në veri ka qenë problematike sa i përket kontrabandës. Përmes saj janë kontrabanduar edhe armë e drogë dhe është zhvilluar trafikim i qenieve njerëzore, por këto veprimtari, sipas raportit, janë më të kufizuara se në vitet e mëparshme.
Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se rrugët që çojnë drejt kalimeve ilegale kufitare me Serbinë duhet të mbyllen, duke pasur parasysh përpjekjet e mëparshme për destabilizim. Sipas tij, mbyllja e tyre është e rëndësishme për sigurinë e Kosovës. Ai tha se nevojitet bashkëpunim edhe me KFOR-in, pasi Policia e Kosovës mund të mos ketë kapacitete të mjaftueshme për t’i mbyllur të gjitha rrugët. Vrajolli shtoi se duhet kërkuar ndihmë nga KFOR-i dhe mbështetje nga institucione të tjera të sigurisë në Kosovë.