Mëngjesin e 19 tetorit, një grup të rinjsh u mblodh para gjimnazit “Themistokli Gërmenji” në Korçë dhe u bëri thirrje nxënësve t’u bashkoheshin protestës. Sipas Vizion Plus, pas grumbullimit, të rinjtë marshuan përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti”, në drejtim të shkollave të tjera të qytetit, për t’u kërkuar edhe nxënësve të tyre të merrnin pjesë.
Vizion Plus raportoi se gjimnazistët para shkollës “Themistokli Gërmenji” nuk iu bashkuan grupit. Sipas këtij burimi, dyert e shkollave ishin të mbyllura nga drejtoritë dhe në hyrjet e shkollave të mesme, kryesisht, kishte prani të shumtë policie.
Mapo, BoldNews dhe CNA.al raportuan se të rinjtë marshuan drejt gjimnazeve me synimin për të përfshirë bashkëmoshatarët në protestë. Sipas këtyre raportimeve, gjatë marshimit u dëgjuan thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Rama ik”.
Protesta edhe në qytete të tjera
TV Klan raportoi protesta dhe marshime të të rinjve në disa qytete të tjera. Në Shkodër, të rinjtë u mblodhën pranë bashkisë, ndërsa protesta shënonte ditën e shtatë. Në Lezhë, të rinjtë bojkotuan sërish mësimin dhe marshuan në rrugët e qytetit me thirrjen “Rama, jep dorëheqjen!”. Sipas TV Klan, në terren kishte forca të shumta policie për të monitoruar situatën.
Në Elbasan, një grup të rinjsh protestues marshoi nëpër rrugë dhe shkolla. Protesta u zhvillua edhe në Mirditë, ku të rinj dolën në Rrugën e Kombit me thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.