Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Pantinë të Komunës së Vushtrrisë, ku një ekip i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) Mitrovica është përballur me të shtëna armësh zjarri. Ngjarja është shënuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga tre punonjës të kompanisë, të cilët po punonin për identifikimin dhe shkyçjen e lidhjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
Sipas informacioneve nga terreni, pas përfundimit të një shkyçjeje, rruga e ekipit është bllokuar nga automjeti i një personi të dyshuar, i cili më pas ka shtënë me armë zjarri në ajër. Fatmirësisht, nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar në mesin e punonjësve të ekipit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar rastin dhe ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit, i cili aktualisht ndodhet në arrati, po zhvillohen hetime për tri vepra penale:
- Sulm ndaj personit zyrtar
- Mbajtje e paautorizuar e armës
- Përdorim i armës
Pas incidentit, autoritetet policore kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ku janë gjetur gëzhoja të përdorura nga arma. Po ashtu, policia ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur ndonjë armë, çka ngre dyshimet se autori e ka marrë atë me vete gjatë largimit. Policia e Kosovës po vazhdon veprimet operative për lokalizimin dhe arrestimin e personit të përfshirë në këtë ngjarje.