Një incident me armë zjarri ndodhi rreth orës 15:30 në afërsi të Monumentit të Uashingtonit, pranë Shtëpisë së Bardhë, pak minuta pasi kaloi autokolona e zëvendëspresidentit JD Vance.
Sipas autoriteteve, agjentët e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara në patrullim identifikuan një individ të dyshimtë me armë zjarri. Kur oficerët iu afruan, personi tentoi të largohej në këmbë dhe më pas hapi zjarr ndaj tyre.
Forcat e sigurisë reaguan menjëherë duke kundërpërgjigjur me armë, duke e plagosur personin, i cili u transportua në spital. Identiteti dhe motivet e tij mbeten të paqarta. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse objektivi ishte ndonjë figurë e lartë shtetërore.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një i mitur në zonë u godit nga plumbat e personit të armatosur, por pa lëndime që rrezikojnë jetën.
Si masë paraprake, Shërbimi Sekret evakuoi përkohësisht gazetarët nga zona përreth dhe kufizoi aksesin në kompleksin presidencial. Policia e Uashingtonit mori masa të menjëhershme sigurie, bllokoi përkohësisht zonën dhe vijon hetimet. Disa rrugë pranë vendit të ngjarjes do të qëndrojnë të mbyllura për disa orë.