Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka thirrur sot në Kuvend interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, për kushtet çnjerëzore në të cilat mbahet presidenti i partisë, Ilir Meta. Ai theksoi se Metës i janë ndaluar takimet dhe komunikimet, ndërsa nuk zbatohen rekomandimet e lëna nga Avokati i Popullit prej disa javësh.
Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe vartësit e tij për rrëmbimin e Metës më 21 tetor 2024 në rrugë, të maskuar dhe pa vendim gjykate. Sipas tij, vendimi gjyqësor doli vetëm dy orë më vonë, ndërsa operacionin zbatoi Ergys Agasi, Ilir Proda dhe ish-ministri Ervin Hoxha.
Ai deklaroi se Shqipëria është i vetmi vend i NATO-s me të burgosur politikë dhe kritikoi paradokse në sistemin penitenciar:
- Amnistia shpallet për të ulur mbipopullimin në burgje, por miratohet burg për parkime dyshe ndaj qytetarëve.
- Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK, vazhdon të japë tenderë.
- Të paktën 251 anëtarë të bandave enden të lirë, përfshirë një killer të arratisur nga spitali i Durrësit.
Në fjalimin e tij, Blushi e cilësoi situatën si krim shtetëror me qëllim politik, ku sistemi penitenciar është kthyer në makineri dhune dhe frike. Ai akuzoi ministrin se ka degraduar gardianët në skllevër dhe shpërblen "narkopolicët" me 300 euro, ndërsa gardianët nuk paguhen për orët shtesë.
"Ky është një regjim që përndjek të ndershmit dhe shpërblen dhunuesit. Ju keni shkelur parimet kryesore të të drejtave të njeriut", tha Blushi, duke e quajtur debatin akt mbrojtës për liritë themelore.