Protesta e 124-të radhazi në kryeqytet, e zhvilluar këtë të enjte, u shoqërua me tensione të theksuara mes pjesëmarrësve dhe efektivëve të Policsë së Shtetit. Pas përfundimit të fjalimeve të mbajtura para godinës së Kryeministrisë, një grup protestuesish nisi një marshim nga zona e “Vasil Shantos” në drejtim të godinës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjatë këtij marshimi, tubuesit bllokuan rrugën, duke shkaktuar ndërhyrjen e forcave të rendit me qëllim lirimin e segmentit rrugor për lëvizjen e mjeteve.
Në momentin e ballafaqimit pranë ambienteve të Drejtorisë së Policisë, situata eskaloi në përplasje fizike mes palëve. Protestuesit lëshuan thirrje ofenduese, ndërsa forcat e repartit “Shqiponja” u angazhuan për të ndaluar marshimin e mëtejshëm të grupit. Pas incidenteve, policia njoftoi se ka arritur t'i shpërndajë tubuesit dhe vijon të mbajë nën monitorim situatën në zonë përmes forcave të shtuara të rendit.