Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet t'i rikthehet pozitës së kryeministrit, pas vendimit të Komitetit Kryesor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), mbajtur në Nish. Partia vendosi të garojë në zgjedhjet e 25 tetorit me listën "Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar". Gjatë fjalimit, Vuçiq vlerësoi punën e partisë, kritikoi kundërshtarët politikë për shfrytëzimin e tragjedisë në Novi Sad dhe akuzoi zyrtarët evropianë për qëndrimet e tyre mbi zhvillimet në Serbi dhe Kosovë.
Ndërkohë, jashtë ndërtesës së Teatrit Kombëtar, situata u tensionua mes forcave të rendit dhe një numri të madh protestuesish, përfshirë studentë dhe qytetarë. Policia krijoi kordonë sigurie në disa pika, duke argumentuar se në zonë ndodheshin persona nën mbrojtje. Protestuesit, të cilët përdorën bilbila dhe vuvuzela, kërkuan të afroheshin te teatri, ndërsa politikani opozitar Zoran Zhivkoviq u pa në vendngjarje duke tentuar të qetësonte situatën.
Pas ndalimit fillestar, një pjesë e turmës tentoi të çante kordonët përmes rrugëve alternative. Kjo çoi në vrapime dhe përplasje fizike me pjesëtarë të policisë dhe Xhandarmërisë, të cilët përdorën mburojat për të frenuar demonstruesit. Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të policëve, ndërsa protestuesit brohoritën slogane si "Ik, ik!". Deri më tani, nuk është raportuar për persona të lënduar apo të arrestuar gjatë incidenteve.
Përditësime
Situata u përshkallëzua pas përfshirjes së veteranëve të luftës në mesin e protestuesve. Policia mbylli rrugën Vozhdova, 300 metra larg Teatrit Kombëtar, për të parandaluar afrimin e mëtejshëm të turmës. Mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) iu përgjigjën thirrjeve të protestuesve me muzikë patriotike. Presidenti Aleksandar Vuçiq përfundoi fjalimin e tij para Teatrit Kombëtar, pavarësisht presionit në perimetrin e sigurisë.