Një lëkundje sizmike me magnitudë 4.1 është regjistruar pak pas mesnatës së datës 25 korrik 2026 në komunën Pizzone, e cila ndodhet në provincën e Isernias, në kufirin midis rajoneve Abruco dhe Lazio. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), epiqendra e tërmetit ka qenë në një thellësi prej 10 kilometrash.
Lëkundjet kanë zgjatur disa sekonda dhe janë ndjerë qartë në zonat përreth, duke shkaktuar shqetësim tek banorët, shumë prej të cilëve kanë dalë në rrugë nga frika. Përveç provincës së Isernias, dridhjet janë ndjerë edhe në provincat e Chieti, L’Aquila dhe Caserta.
Sipas raportimeve zyrtare, deri në këto momente nuk janë shënuar dëme materiale apo persona të lënduar. Në orën 03:41 të mëngjesit është regjistruar një lëkundje e dytë me magnitudë 2.2, e cila ka pasur një thellësi prej 9 kilometrash në të njëjtin rajon.
Përditësime
Kryetari i bashkisë së Pizzone, Vincenzo Di Cristofano, konfirmoi se inspektimet pas tërmetit me magnitudë 4.1 nuk kanë evidentuar dëme në infrastrukturë. Megjithatë, banorët mbeten në gjendje ankthi dhe alarmi. Kjo zonë njihet për aktivitet sizmik, pasi gjatë muajit janar provinca e Isernias u godit nga dy lëkundje të tjera me magnitudë 2.5.