Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë të Richterit goditi bregun perëndimor të Japonisë të martën, sipas njoftimit të Agjencisë Meteorologjike të Japonisë. Epiqendra e tërmetit ndodhej në Prefekturën Shimane, në një thellësi prej 10 kilometrash.
Pas tërmetit kryesor, është regjistruar një tërmet i dytë me magnitudë 5.1 ballë, i cili ndodhi rreth dhjetë minuta më vonë. Autoritetet japoneze raportuan se rajoni u godit gjithashtu nga disa tërmete më të vogla ndërsa aktiviteti sizmik vazhdonte në zonë.
Tërmeti u ndje në qytetet Matsue dhe Yasugi, si dhe në zonat përreth të prefekturës. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, dridhja arriti ballën pesë në shkallën Shindo të Japonisë në qytetin e Yasugi-t, e mjaftueshme për të rrëzuar mobilje të rënda dhe për ta bërë të vështirë drejtimin e automjeteve.
Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar ose dëme të mëdha nga tërmeti. Megjithatë, autoritetet në Japoni morën masa paraprake dhe pjesë të rrjetit të trenave me shpejtësi të lartë Shinkansen u pezulluan përkohësisht si masë sigurie. Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë njoftoi se nuk u zbuluan anomali në centralin bërthamor Shimane si pasojë e dridhjeve.
Lidhur me rrezikun e cunamit, Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi fillimisht një paralajmërim për cunami, por ky paralajmërim u anulua disa minuta pas dridhjeve pasi nuk u konstatua kërcënim i rëndësishëm për brigjet.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mati tërmetin me magnitudë 5.7 ballë, një vlerësim paksa më i ulët se ajo e agjencisë meteorologjike japoneze.
Japonia ndodhet në të ashtuquajturën "Unaza e Zjarrit", një rajon i njohur për nivelet e larta të aktivitetit sizmik, i prirur ndaj tërmeteve të mëdha dhe shpërthimeve vullkanike. Shteti është një ndër vendet më të prirura ndaj tërmeteve në botë dhe përjeton afërsisht 1,500 tërmete çdo vit, shumica e të cilave të vogla. Megjithatë, Japonia përbën rreth 18% të tërmeteve në botë me magnitudë 6 ose më të madhe.
Në vitin 2011, një tërmet me magnitudë 9.0 shkaktoi një cunami devastues që la gati 20,000 të vdekur dhe shkaktoi një shkrirje shkatërruese në centralin bërthamor të Fukushimës, i cili mbetet një nga tragjeditë më të mëdha natyrore të shekullit të 21-të.