Gjatë analizës së ndeshjes për Fox Sports, ish-sulmuesi francez Thierry Henry kritikoi ashpër lëvizjet e Cristiano Ronaldos gjatë takimit hapës të Botërorit 2026. Henry theksoi se fokusi i lojtarëve duhet të jetë te efektiviteti kolektiv, duke u shprehur: "Ekipi ka nevojë të shënojë, jo ti".
Analiza e Henry u përqendrua te një episod në pjesën e dytë, ku sipas tij, përpjekja e Ronaldos për të shënuar pengoi Bruno Fernandesin dhe ia lehtësoi punën mbrojtjes kundërshtare. Ish-kampioni i botës shpjegoi se pozicionimi i Ronaldos drejt zonës ku po operonte bashkëlojtari i tij shkaktoi ngërç në zhvillimin e aksionit. Statistikat për kapitenin portugez në këtë ndeshje ishin të kufizuara, pasi ai regjistroi zero goditje në portë dhe vetëm 25 prekje të topit gjatë gjithë sfidës.
Nga ana tjetër, trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, doli në mbrojtje të lojtarit. Ai deklaroi se nuk kishte arsye për ta zëvendësuar golashënuesin më të mirë në histori, veçanërisht në një moment kur skuadra kishte nevojë urgjente për një tjetër gol për të siguruar fitoren. Portugalia e nisi ndeshjen në avantazh falë golit të Joao Neves në minutën e gjashtë, por skuadra e Kongos arriti të barazonte rezultatin, duke e detyruar ekipin luzitan të ndante pikët.