Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, bëri të ditur se kryeqyteti ka marrë çmimin ndërkombëtar “FIA President’s Exceptional Award” nga Madridi.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ristani njoftoi se ky çmim i është dhënë Tiranës pas shpalljes si Qyteti Europian i Sportit 2023. Ky çmim vlerëson energjinë, punën dhe vizionin gjatë gjithë vitit 2023, duke kontribuar në kthimin e qytetit në një ambient më aktiv dhe më të shëndetshëm për qytetarët.
Në reagimin e saj, Ristani shkroi: «Me kënaqësi tërhoqëm çmimin “FIA President’s Exceptional Award”, i cili iu dha Tiranës si Qyteti Europian i Sportit 2023, duke vlerësuar energjinë, punën dhe vizionin tonë gjatë gjithë atij viti, për një qytet më aktiv e më të shëndetshëm. Një moment i bukur për qytetin tonë, për të gjithë skuadrën që punoi pareshtur dhe për të gjithë ata që e bëjnë sportin pjesë të jetës së qytetit. Ky çmim është për të gjithë ju».
Ky vlerësim shihet si një tjetër njohje ndërkombëtare për Tiranën, pas aktiviteteve të shumta sportive dhe organizimeve të zhvilluara gjatë vitit kur kryeqyteti mbajti titullin Qyteti Europian i Sportit 2023.