Për shkak të organizimit të garës sportive "Tiranathlon 2026", Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka vendosur një plan masash për kufizimin e qarkullimit të automjeteve. Kjo garë, që përfshin disiplinat e notit, çiklizmit dhe vrapit, do të zhvillohet ditën e diel, më 27 shtator 2026, në zonën e Parkut Helen pranë Liqenit të Farkës.
Rrugët e bllokuara
Nga ora 08:00 deri në orën 13:00, qarkullimi i automjeteve do të jetë i kufizuar në këto segmente:
• Rruga "Daxhit" (nga kryqëzimi me rrugën "Xhelal Molla" deri te kryqëzimi me rrugën e "Vrapëve"), duke përfshirë rrugën "Dëshmorët e Helikopterëve".
• Bulevardi "Zhan D’Ark" dhe Bulevardi "Bajram Curri" (segmenti nga ura Shkozë deri në kryqëzimin me rrugën "Selman Riza" dhe rrugën "Kastriot Feska").
• Rruga interurbane kryesore (TEG – Ura Shkozë).
• Segmenti i Unazës së Madhe (nga nyja e rrethrrotullimit të Freskut deri te TEG). Në këtë segment, devijimi i mjeteve do të kryhet për në rrugën e rrethrrotullimit të Freskut, me dalje në rrugën "Xhanfize Keko".
Ndryshimet në transportin publik
Linjat e transportit urban do të pësojnë këto ndryshime:
• Linja Nr. 10/A ("Materniteti i Ri – Qendër – Ish Fusha e Aviacionit") do të devijohet përkohësisht te ura e "Brrylit".
• Linja Nr. 10/C ("Rrethrrotullimi Shkozë – Ish Fusha e Aviacionit") do të pezullohet përkohësisht.
Qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të vijojë normalisht në të gjitha itineraret. Zbatimi i kësaj urdhërese u është ngarkuar strukturave përkatëse bashkiake dhe Policisë Rrugore.
Përditësime
Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit finalizuan një plan të përbashkët masash për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv Tiranathlon 2026. Autoritetet saktësuan se kufizimet e qarkullimit do të përfshijnë edhe rrugën 'Daxhit', segmenti nga kryqëzimi me rrugën 'Xhelal Molla' deri në rrugën e 'Vrapëve'.