Një ngjarje e rëndë ka tronditur Portugalinë, ku një vajzë 18-muajshe ka humbur jetën pasi u la për rreth 8 orë brenda një autobusi shkollor në zonën e Almadës, në distriktin e Setúbalit.
Sipas agjencisë portugeze të lajmeve Lusa, vogëlushja, e identifikuar si Sofia, hipi në mjetin e transportit rreth orës 08:00 të mëngjesit të së enjtes për t’u dërguar në një qendër të kujdesit ditor. Për arsye që janë ende nën hetim, ajo nuk zbriti nga automjeti dhe mbeti brenda tij, ndërsa mjeti ishte parkuar pranë qendrës.
Gjatë gjithë ditës, personeli i institucionit nuk e konstatoi mungesën e saj. Tragjedia doli në dritë vetëm pak para orës 16:00, kur nëna e fëmijës u paraqit në çerdhe për ta marrë, çka bëri që stafi të kuptonte se vogëlushja nuk kishte qenë e pranishme gjatë ditës.
Menjëherë pas alarmit, punonjësit kanë shkuar drejt autobusit, ku e kanë gjetur fëmijën pa shenja jete. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, zjarrfikësit vullnetarë, ekipet e urgjencës mjekësore dhe Njësia Mobile e Ndërhyrjes Psikologjike e Institutit Kombëtar të Emergjencave Mjekësore. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, mjekët mundën vetëm të konstatonin vdekjen e foshnjës në vendin e ngjarjes.
Aktualisht, Policia Gjyqësore Portugeze ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota. Ekspertët e mjekësisë ligjore dhe hetuesit kanë filluar mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave përgjegjës për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë e këtij incidenti.