Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në një apartament në katin e parë të një pallati në pjesën lindore të kryeqytetit italian. Sipas të dhënave, nëna dhe djali jetonin aty prej rreth tri vitesh. I mituri, i cili kishte shfaqur më herët probleme të shëndetit mendor, ka telefonuar vetë shërbimet e emergjencës pas ngjarjes duke pranuar krimin.
Kur efektivët e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, ata kanë gjetur adoleshentin jashtë godinës, me rroba të njollosura me gjak. Nëna e tij është gjetur ende gjallë brenda banesës, por në gjendje kritike. Ajo është transportuar me urgjencë drejt Poliklinikës Tor Vergata, ku ka ndërruar jetë disa orë më vonë për shkak të plagëve të marra.
Hetimet dhe dëshmitë
Fqinjët kanë deklaruar për mediat se nuk kishin vërejtur konflikte të mëparshme mes tyre dhe se nuk kishin dëgjuar zhurma apo kërkesa për ndihmë gjatë momentit të ngjarjes. Autoritetet e Prokurorisë për të Miturit kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën dhe motivet e kësaj tragjedie. Aktualisht, i riu ndodhet i shtruar në repartin e psikiatrisë në Poliklinikën Umberto I, ndërsa pritet edhe rezultati i autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Sipas raportimeve, nëna e kujdesej e vetme për të birin, pasi bashkëshorti ishte larguar prej kohësh nga familja.