Banorët e lagjeve Cfakë, Manalat i Parë dhe Manalat i Dytë në Gjirokastër jetojnë të izoluar prej më shumë se një muaji, pas rrëshqitjes së një masivi dheu gjatë përmbytjeve që goditën qytetin.
Rruga kryesore që lidh këto lagje me pjesën tjetër të qytetit mbetet e bllokuar. Banorët detyrohen të kalojnë çdo ditë mbi masivin e dheut të rrëshqitur në një zonë të rrezikshme.
Banorët denoncojnë mungesën e vëmendjes nga Bashkia e Gjirokastrës, e cila sipas tyre kujdeset për këto zona vetëm gjatë fushatave elektorale, ndërsa në emergjenca i lë në harresë.
Situata është veçanërisht e vështirë për të moshuarit, të cilët nuk përfitojnë shërbimin e linjës urbane dhe qëndrojnë pa akses në shërbime bazë brenda shtëpive.
Inxhinieri Spiro Diamanti i Bashkisë së Gjirokastrës bëri me dije se institucioni pret raportin e Shërbimit Gjeologjik. Deri në marrjen e këtij raporti, banorët vazhdojnë të kalojnë në shtigje të pasigurta.