Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në zonën e hyrjes së fshatit Andon Poçi në bashkinë e Gjirokastrës. Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe afërsisë me zonën e banuar, situata paraqet rrezik serioz për shtëpitë e banimit, si dhe për një fabrikë uji që gjendet pranë vatrës së zjarrit.
Ekipet e Shërbimit Zjarrfikës të Drejtorisë MZSH Gjirokastër kanë ndërhyrë menjëherë në terren. Forcat zjarrfikëse janë angazhuar me mjetet dhe efektivët e nevojshëm për të izoluar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tyre drejt zonave të banuara dhe objekteve të tjera në rrezik. Ndërhyrja po vijon me intensitet të lartë, ndërsa situata mbetet nën monitorimin e autoriteteve deri në vënien e plotë të saj nën kontroll.