Në sallën e Këshillit Komunal të Tuzit, u shpall zyrtarisht këtë të shtunë, më 30 maj, bashkimi i tre subjekteve politike shqiptare në një forcë të vetme politike, e cila do të mbajë emrin Forumi Shqiptar. Kjo nismë u prezantua nga drejtuesit si nisja e një kapitulli të ri politik për shqiptarët në Malin e Zi dhe një marrëveshje me rëndësi historike.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, së bashku me aleatët e tij politikë, prezantuan objektivat kryesore të këtij projekti. Sipas përfaqësuesve, bashkëpunimi i deritanishëm në formën e koalicioneve ka rezultuar i suksesshëm në forcimin e përfaqësimit në qeverinë e Malit të Zi dhe në nivele të tjera vendimmarrëse, megjithatë u vlerësua si e nevojshme krijimi i një subjekti unik për të garantuar qëndrueshmëri.
Sipas Gjeloshajt, Forumi Shqiptar është i pranishëm në disa komuna dhe përfaqëson një adresë të unifikuar për të gjithë qytetarët shqiptarë në vend. Ai theksoi se ky bashkim është ndërtuar mbi vullnetin e drejtuesve për të siguruar një përfaqësim më të denjë dhe një garanci politike për të ardhmen. I pyetur për rëndësinë e unitetit mbarëshqiptar, Gjeloshaj shprehu mbështetjen e tij të plotë, duke e konsideruar këtë si një nevojë për të tejkaluar përçarjet e shfaqura ndër vite.
Përditësime
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, e cilësoi bashkimin e subjekteve politike shqiptare si një 'borxh ndaj brezave të ardhshëm'. Sipas Gjeloshajt, ky unitet është thelbësor për realizimin e objektivave kombëtare, duke shtuar se një model i tillë unifikimi është i domosdoshëm edhe në Shqipëri për t’iu përgjigjur sfidave të integrimit europian.
Tre subjekte politike shqiptare në Mal të Zi janë bashkuar për të formuar një forcë të vetme politike. Alternativa Shqiptare e Nik Gjeloshajt, Unioni Nacional Shqiptar i Ferhat Dinoshës dhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve e Ivan Ivanajt zyrtarizuan marrëveshjen, ndërsa Nik Gjeloshaj do të drejtojë procesin e konsolidimit deri në mbajtjen e Kongresit themelues.