Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes ka nisur në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump” në Uashington D.C., më 19 shkurt 2026. Në ceremoni kanë marrë pjesë kryetarë shtetesh, krerë qeverish dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbajtur fjalimin hapës, duke e konsideruar këtë bord si "bordin më prestigjioz ndonjëherë". Ai tha se aty janë mbledhur "liderët më të mëdhenj të botës", ndërsa shtoi se edhe ata që nuk janë të pranishëm do të bashkohen së shpejti. "Është bordi më i rëndësishëm. Nuk ka pasur gjë tjetër të ngjashme", deklaroi Trump pas fotos familjare me pjesëmarrësit.
Sipas tij, misioni i bordit është i qartë: paqja. "Ajo që po bëjmë është e thjeshtë, paqe. Quhet Bordi i Paqes, një fjalë e lehtë për ta thënë, por e vështirë për ta prodhuar", u shpreh ai. Trump nënvizoi se Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar tetë luftëra gjatë këtij viti dhe janë pranë përfundimit të një të nëntës. Ai vuri në dukje paparashikueshmërinë e konflikteve: "Me luftën nuk i dihet kurrë çfarë është e lehtë dhe jo".
Duke iu referuar situatës në Gaza, Trump e cilësoi atë si shumë komplekse dhe falënderoi bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Steve Witkoff, Jared Kushner dhe Marco Rubio, për punën e tyre të mrekullueshme. Ai theksoi se ka bërë miqësi me shumë liderë të pranishëm dhe se SHBA ndodhen në një pikë historike unike.
Presidenti amerikan përfundoi duke falënderuar të gjithë liderët dhe duke përsëritur se bordi mbart fuqinë dhe ndikimin më të madh ndërkombëtar. Ai përmendi gjithashtu Infantino dhe shitjen e të gjitha biletave për Kupën e Botës.
Përditësime
Donald Trump deklaroi se ka "ekipin më të mirë ndonjëherë" dhe se është "nder që po ju pres këtu". Për liderët e munguar, ai tha se ata "thjesht po bëjnë të vështirin". Krerët e shteteve i quajti "vetëm Infantinos", duke iu referuar Gianni Infantino-s.