Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi përmes rrjetit social Truth Social se kostoja e ndotjes së shkaktuar nga tymi i zjarreve pyjore që vjen nga Kanadaja duhet të përfshihet në tarifat doganore ndaj mallrave kanadezë.
Në postimin e tij, Trump akuzoi autoritetet kanadeze për menaxhim të dobët të pyjeve dhe shkurreve, duke shkaktuar ndotje të ajrit që ai e cilësoi si "të dëmshme" dhe "të pashëndetshme". Sipas presidentit, cilësia e ajrit në territorin amerikan po bëhet e rrezikshme për shkak të këtij fenomeni.
"Po e mbajmë Kanadanë përgjegjëse për faktin se nuk po mirëmban siç duhet pyjet dhe shkurret e saj. Shtetet e Bashkuara po përballen në mënyrë të panevojshme me ajër të ndotur, të dëmshëm dhe të pashëndetshëm", shkroi Trump.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi situatën si një "neglizhencë të qëllimshme" që po kthehet në një dukuri të përvitshme. Ai theksoi se kjo ndotje i kushton Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë dhe se kjo kosto duhet t'u shtohet tarifave që Kanadaja paguan aktualisht.