Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë se SHBA nuk janë ende gati të largohen nga Irani, por kjo do të ndodhë në të ardhmen e afërt.
I pyetur për planin për "ditën pasuese" në Iran, ai u shpreh se nëse largimi ndodh tani, Iranit do t’i duhen 10 vjet për t’u rindërtuar. "Ne nuk jemi gati të largohemi ende. Por do të largohemi në të ardhmen e afërt, pothuajse shumë shpejt", tha Trump.
Ai përsëriti se SHBA kanë marrë mbështetje të madhe nga vendet e Lindjes së Mesme, por asnjë mbështetje thelbësore nga NATO. Lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin britanik Keir Starmer, Trump u shpreh i zhgënjyer, duke thënë se Starmer nuk ka qenë mbështetës dhe kishte ofruar dërgimin e dy aeroplanmbajtëseve vetëm pas fitores, kur nuk kishte më kërcënim. "Mendoj se është një njeri i mirë, por jam i zhgënjyer", përfundoi ai.
Kryeministri irlandez Michael Martin theksoi se marrëdhënia transatlantike midis Evropës dhe SHBA mbetet shumë e rëndësishme. Ai e cilësoi Starmer-in si një lider serioz, me të cilin Trump ka mundësi të bashkëpunojë mirë.
Burimet raportojnë se më parë Trump kishte parashikuar një konflikt prej katër deri në pesë javësh. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, kanë thënë se kampanja ushtarake, tashmë në javën e tretë, mund të zgjasë nga katër deri në gjashtë javë.
Përditësime
Pete Hegseth deklaroi se presidenti Trump ka “të gjithë lirinë për të vlerësuar kohëzgjatjen – katër javë, dy javë ose gjashtë javë”.