Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton qytetarët për procedurën e plotësimit të fletëvotimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet mbahen më 7 qershor 2026. Votimi në përfaqësitë diplomatike do të zhvillohet një ditë më parë.
Pas marrjes së fletëvotimit, votuesi duhet të sigurohet që ai të jetë i vulosur në pjesën e pasme. Në kabinën e votimit gjendet broshura me numrat dhe emrat e subjekteve politike.
Në anën e majtë të fletëvotimit shënohet vetëm një subjekt politik. Në anën e djathtë mund të shënohen deri në dhjetë kandidatë për deputetë nga subjekti i zgjedhur.
Në rast gabimi, votuesi mund të kërkojë ndërrimin e fletëvotimit. Për ruajtjen e fshehtësisë, fletëvotimi paloset para se të vendoset në kutinë e votimit.
Fletëvotimi përmban 21 subjekte politike të renditura sipas tërheqjes së numrave rendorë. Përveç gjuhës shqipe dhe serbe, në disa komuna përdoren edhe gjuhë të tjera.
Në Prizren fletëvotimet do të kenë udhëzime edhe në gjuhën turke dhe boshnjake. Në Mamushë do të përfshihen udhëzime në gjuhën turke, në Obiliq në gjuhën rome dhe në Dragash në gjuhën boshnjake.