Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, ka vazhduar të vlerësojë gjyqtarët nga Kosova, duke u besuar atyre drejtimin e dy ndeshjeve të rëndësishme në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Gjyqtari me stemë ndërkombëtare, Mervan Bejtullahu, është caktuar kryesor në ndeshjen midis Ilves dhe Stjarnan. Ky takim do të zhvillohet më 30 korrik, në stadiumin Tammelan në Tampere, duke filluar nga ora 18:00. Në këtë sfidë, Bejtullahu do të asistohet nga Edmond Zeqiri dhe Bashkim Hyseni, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Alban Shala.
Në të njëjtën ditë, një tjetër gjyqtar kosovar, Genc Nuza, do të drejtojë ndeshjen ndërmjet skuadrës belge Gent dhe ekipit ukrainas LNZ Cherkasy. Ndeshja është planifikuar të zhvillohet në KAA Gent Arena në Ghent, me fillim në orën 20:30. Ekipi i gjyqtarëve në këtë përballje do të përbëhet nga asistentët Fatmir Sekiraqa dhe Pashtrik Burrniku, kurse rolin e gjyqtarit të katërt do ta mbulojë Erdall Zasella.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka vlerësuar këto delegime si dëshmi të besimit të vazhdueshëm të UEFA-s ndaj profesionalizmit, përgatitjes dhe cilësisë së arbitrave nga Kosova në arenën ndërkombëtare.