Ukraina ka nisur një program që u mundëson ushtarëve në front të ngrijnë spermën falas, sipas BBC-së.
Sipas ligjit, mostrat ruhen pa pagesë deri në tre vjet pas vdekjes së tyre dhe mund të përdoren nga partneret, nëse ekziston pëlqimi me shkrim. Programi synon jo vetëm mbështetjen e familjeve të ushtarëve, por edhe adresimin e krizës demografike, e cila ekzistonte para pushtimit rus dhe është përkeqësuar nga numri i madh i burrave të vrarë në luftë, shumë prej të cilëve të rinj.
Deputetja Oksana Dmitrieva, bashkautore e projektligjit, deklaroi se nisma është menduar si një investim për të ardhmen. “Po mendojmë për të ardhmen dhe për të gjithë të rinjtë që kemi humbur. Ushtarët tanë po mbrojnë të ardhmen tonë, por mund ta humbasin të tyren, ndaj donim t’u jepnim këtë mundësi”, tha ajo. Gjatë vizitave në front, deputetja inkurajon ushtarët të diskutojnë çështje fertiliteti dhe të marrin në konsideratë ngrirjen e spermës.
Një ushtar 35-vjeçar i Gardës Kombëtare, i identifikuar si Maxim, tregoi se vendosi të japë mostër pasi u bind nga bashkëshortja gjatë një lejeje. Ai theksoi se rreziku në front është i përhershëm për shkak të dronëve dhe bombardimeve. “Burrat tanë po vdesin. Fondi gjenetik i Ukrainës po zhduket. Mbijetesa e kombit tonë është në rrezik”, u shpreh ai.
Konflikti me Rusinë tashmë ka hyrë në vitin e katërt, ndërsa shqetësimet për pasojat afatgjata demografike dhe sociale po shtohen krahas përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare për armëpushim.