Flota e automjeteve të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore është shtuar me 13 mjete të reja, të cilat plotësojnë standardet evropiane për pajisjet dhe sistemet jetëshpëtuese. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, gjatë inspektimit të flotës, deklaroi se ky investim është thelbësor për përballimin e fluksit të lartë të qytetarëve dhe vizitorëve gjatë sezonit veror.
Sistemi shëndetësor po operon përmes një rrjeti të koordinuar që përfshin 36 qendra shëndetësore verore, spitalet rajonale dhe ato universitare. Ministrja Sala njoftoi se vetëm gjatë javës së fundit në këto qendra janë kryer mbi 12 mijë vizita mjekësore, ku rreth një e katërta e tyre kanë qenë turistë të huaj.
Si shembull i efikasitetit të këtij zinxhiri emergjence, ministrja përmendi ndërhyrjen e shpejtë për shpëtimin e një turisteje nga Zelanda e Re, e cila u pickua nga një nepërkë gjatë ecjes në Valbonë. Ky rast dëshmon funksionimin e koordinuar të shërbimit nga vendngjarja deri në spital. Pas këtij shtimi, flota e shërbimit të urgjencës përbëhet nga 120 autoambulanca, 1 motor urgjence dhe 1 automedikë, duke siguruar një mbulim më të gjerë të territorit shqiptar.