Selia e Shenjtë po ndërmerr një investim madhor në fushën e energjisë së rinovueshme, përmes ndërtimit të një impianti agrovoltaik të avancuar. Projekti, me një kosto të përllogaritur prej 100 milionë eurosh, do të shtrihet në pronën Santa Maria di Galeria, e cila ndodhet në periferinë veriperëndimore të Romës. Sistemi i projektuar parashikon vendosjen e paneleve diellore në një lartësi të tillë mbi tokë, e cila lejon zhvillimin e njëherëshëm të aktiviteteve bujqësore poshtë tyre, duke reduktuar avullimin dhe duke mbrojtur kulturat nga kushtet e motit.
Sipas të dhënave teknike, impianti do të ketë një kapacitet prodhues të vlerësuar midis 80 dhe 90 megavatesh, çka e bën këtë objekt një nga instalimet më të mëdha të këtij lloji në Itali. Afati i parashikuar për përfundimin e ndërtimit është vendosur në një dritare kohore nga 18 deri në 24 muaj.
Qëllimi parësor i këtij investimi është mbulimi i nevojave energjetike të Radio Vatikanit dhe të pronave të tjera nën administrimin e Selisë së Shenjtë, përfshirë spitalin Bambino Gesù në Romë. Një pjesë e energjisë së tepërt pritet t'i vihet në dispozicion rrjetit elektrik italian. Projekti u iniciua si një përparësi nga i ndjeri Papa Françesku dhe tashmë është miratuar nga Papa Leoni XIV. Një komision i përbashkët italo-vatikan zhvilloi një takim në fillim të muajit gusht për të shënuar nisjen e procedurave për këtë sipërmarrje.