Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka vijuar sot punimet për ekshumimin në zonën malore të fshatit Kalludër, në komunën e Zubin Potokut. Ndërhyrja në këtë terren vjen pas zbulimit të disa mbetjeve mortore njerëzore në të njëjtin lokacion dy ditë më parë.
Operacioni është ndërmarrë pas arrestimit të dy shtetasve serbë, të cilët po hetohen për përfshirje në krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Sipas dyshimeve të deritanishme, ky lokacion mund të fshehë një varrezë masive me trupat e shumë civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës.
Një ndër rastet më të rënda që lidhet me këtë zonë është zhdukja pa lënë gjurmë e një grupi prej 23 burrash, të njohur si "Grupi i Intelektualëve", shumica e të cilëve ishin banorë të qytetit të Mitrovicës. Më 19 prill, ky grup ishte ndaluar nga forcat serbe në këtë rajon, ndërsa po përpiqeshin të kalonin kufirin për në drejtim të Malit të Zi. Që nga ajo kohë, fati i tyre ka mbetur i panjohur për familjarët dhe institucionet e drejtësisë.
Përditësime
Autoritetet mjeko-ligjore kanë konfirmuar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër të Zubin Potokut janë njerëzore. Ky është dita e tretë e gërmimeve në lokacionin e dyshuar si varrezë masive. Vendin e ngjarjes e vizituan sot zyrtarë të lartë shtetërorë për të mbikëqyrur operacionin, ndërsa ekipet hetimore kërkuan ruajtjen e integritetit të procesit dhe trajtim me ndjeshmëri ndaj familjarëve të personave të zhdukur.
Gërmimet në varrezën e dyshuar në Kalludër të Zubin Potokut po vazhdojnë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar vendin e ngjarjes, duke konfirmuar angazhimin maksimal për gjetjen e trupave të mbetur. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka identifikuar dy të arrestuarit për krime lufte me inicialet M.J. dhe M.B. Sipas ekspertit Naim Miftari, grupi i viktimave përbëhej nga 25 persona, ku vetëm dy kanë mbijetuar; mes viktimave ndodhet edhe vëllai i aktivistit Halit Berani.