Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të pastrimit po vazhdojnë në disa distrikte të Nepal-it, pas përmbytjeve të rënda që goditën vendin më 26 gusht. Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 gusht janë gjetur 734 trupa, ndërsa fati i 2,498 personave të tjerë mbetet ende i panjohur. Përpjekjet për gjetjen e të mbijetuarve dhe identifikimin e viktimave po mbështeten nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe ekipe ndërkombëtare nga India, Kina dhe Koreja e Jugut.
Distriktet Rasuwa, Nuwakot dhe Dhading janë ndër zonat më të dëmtuara, ku përmbytjet shkaktuan shkatërrime në infrastrukturën rrugore, ura, objekte shëndetësore dhe shkolla. Në distriktin Dhading, banorët vendas janë angazhuar në procesin e pastrimit të baltës dhe mbeturinave, veçanërisht në ndërtesat e një spitali dhe një shkolle. Ndërkohë, qendra e trajnimit të ushtrisë nepaleze në Maithali, distrikti Nuwakot, shërben si bazë kryesore për koordinimin e operacioneve të emergjencës dhe si pikëtakimi për familjarët e personave të zhdukur.
Në këto operacione janë mobilizuar rreth 19 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë, të mbështetur nga 16 helikopterë. Ekipet e shpëtimit janë përqendruar edhe në zonat ku dyshohet se mund të ketë persona të bllokuar në tunele. Përmbytjet prekën rëndë edhe rrjedhën e lumit Bhotekoshi. Autoritetet nepaleze theksojnë se operacionet e kërkimit dhe verifikimit do të vijojnë, ndërsa shifrat e të prekurve mund të pësojnë ndryshime në ditët në vijim.