Protesta e pestë radhazi kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit u zhvillua këtë të enjte në Tiranë. Nën sloganin "Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë", mijëra qytetarë u grumbulluan në sheshin Skënderbej dhe marshuan drejt Kryeministrisë për të përsëritur kërkesat e tyre.
Protestuesit theksuan se tubimi është një iniciativë qytetare, jashtë ndikimeve politike, duke artikuluar slogane kundër klasës politike në tërësi. Kërkesat kryesore të bëra publike janë:
• Dorëheqja e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
• Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë.
• Shfuqizimi i së ashtuquajturës Paketë e Maleve.
• Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
• Anulimi i ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Demonstratat e ditëve të mëparshme janë shoqëruar me tensione, pasi forcat e rendit kanë vendosur gardhe metalike dhe kanë përdorur ujë me piper ndaj pjesëmarrësve. Megjithatë, protesta e kësaj të enjteje përfundoi në mënyrë paqësore pas më shumë se tri orësh qëndrim në shesh.
Revolta qytetare zë fill në datën 31 maj, pas një incidenti ku një qytetar u raportua se u dhunua nga forcat e sigurisë gjatë kundërshtimit të punimeve në zonën e Zvërnecit.
Përditësime
Protestat kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec vijojnë prej gjashtë ditësh. Zhvillimet e fundit janë si vijon:
- Organizatorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave me tubime në Tiranë dhe Zvërnec.
- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e Zvërnecit në të njëjtën kohë kur në kryeqytet po mbahej protesta.
- Gjatë tubimit në Tiranë, një fëmijë që humbi përkohësisht në turmë u gjet nga protestuesit pa pasoja për shëndetin e tij.
Protestat kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec u përshkallëzuan të mërkurën. Pas një marshimi 5-orësh që përfundoi përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, protestuesit bllokuan kryqëzimin te 21 Dhjetori. Organizatorët kërkuan dorëheqjen e ministres Belinda Balluku dhe bënë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar ditën e nesërme. Ndërkohë, lëvizja ka shtrirje ndërkombëtare, me tubime të paralajmëruara nga diaspora në Frankfurt dhe Nju Jork.