Në seancën e radhës së mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, polici Astrit Ahma ka dëshmuar për rrethanat e ndalimit të të akuzuarit Jovan Viqentijeviq tri ditë pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit. Ahma deklaroi se i pandehuri mbante një uniformë ushtarake të ngjashme me ato të njësive të specializuara dhe gjatë kontrollit ishte prezantuar me emrin Zoran. Ai sqaroi se i akuzuari kishte në posedim dy telefona, një zarf me 2000 dinarë dhe kishte deklaruar se ishte i papunë, ndërsa merrte pagë nga Serbia.
Nga ana tjetër, eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Fatmir Ademi, dha detaje rreth analizave të ADN-së. Ai sqaroi se laboratori në Prishtinë kishte kryer ekzaminimet, ndërsa interpretimi i rezultateve ishte dërguar edhe në Itali me vendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ademi bëri të ditur se nga 51 prova të analizuara, 7 prej tyre ishin gjetur në vendin e ngjarjes, duke përfshirë një ditar, një kapele dhe një fitil ndezës prej 9 metrash. Megjithatë, eksperti mohoi se ndonjë nga këto 7 prova kishte përputhshmëri me të akuzuarin Dragisha Viqentijeviq.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, të akuzuarit dyshohen se më 29 nëntor 2024 vendosën eksploziv në infrastrukturën e kanalit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut. Aktakuza thekson se Jovan Viqentijeviq ka deklaruar stërvitje të mëparshme në poligonin ushtarak serb Pasulanske Livade. Për më tepër, një ekspertizë e FBI-së e përfshirë në dosje sugjeron se materiali i gjetur në çizmet e të akuzuarve përputhet me mostrat e marra në vendin e sulmit. Më 16 shkurt 2026, të tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat e ngritura.