Prej pesë ditësh, një zjarr masiv po vijon të përfshijë malin e Tërbunit në bashkinë e Pukës. Flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fondin pyjor të zonës, ku sipas banorëve, më shumë se 60% e sipërfaqes së pyllëzuar me pisha është shkrumbuar tashmë. Gjendja në terren mbetet shqetësuese për komunitetin lokal.
Ekipet zjarrfikëse nga Puka dhe Vau i Dejës ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin e vatrave të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të tyre. Pavarësisht përpjekjeve në tokë, banorët e zonës kanë kërkuar që prej datës 6 shtator ndërhyrje nga ajri përmes helikopterëve, me qëllim fikjen e shpejtë të vatrave aktive.
Situata është përkeqësuar edhe për shkak të ndotjes së lartë të ajrit. Re të dendura tymi kanë mbuluar qytetin e Pukës dhe fshatrat përreth, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët. Hetimet paraprake nga autoritetet kompetente sugjerojnë se rënia e zjarrit mund të ketë qenë e qëllimshme. Puna për shuarjen e flakëve dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij incidenti vijon ende.