Sezoni i transmetimit të Virusit të Nilit Perëndimor është në zhvillim e sipër në disa vende të Evropës, sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC). Përveç Greqisë dhe Italisë, raste të infektimit lokal janë identifikuar edhe në Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Spanjë.
Në Greqi, deri më 22 korrik, Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik (EODY) ka konfirmuar 21 raste. Nga të prekurit, 20 pacientë kanë shfaqur komplikime serioze që prekin sistemin nervor qendror, duke përfshirë encefalitin, meningjitin ose paralizën akute, ndërsa një person ka pasur simptoma të lehta. Aktualisht, 13 pacientë ndodhen në spital, ndërsa deri më tani nuk është raportuar asnjë viktimë. Shumica e rasteve në territorin grek janë përqendruar në rajonin e Atikës, me raste të izoluara edhe në Larisa dhe Palamas.
Në Itali, vendi me shtrirjen më të gjerë gjeografike, janë raportuar 20 raste në 16 zona të ndryshme. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, Rumaninë dhe Spanjë janë evidentuar nga dy raste në secilin vend.
Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se përhapja e këtij virusi ndikohet nga faktorë të tillë si:
• Aktivitetit i mushkonjave
• Kushtet atmosferike
• Lëvizja e shpendëve të egër
Qytetarëve u rekomandohet marrja e masave mbrojtëse kundër pickimeve të mushkonjave për të parandaluar rrezikun e infektimit gjatë këtij sezoni.
Përditësime
Autoritetet shëndetësore në Itali kanë raportuar 21 raste të konfirmuara me Virusin e Nilit Perëndimor të shpërndara në 17 zona. Drejtori i OBSH-së, Dr. Hans Henri P. Kluge, e lidhi këtë rritje me ndryshimet klimatike dhe zgjatjen e sezonit veror, një tendencë që po vërehet në disa shtete të Evropës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bën të ditur se 70-80% e personave të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor nuk shfaqin simptoma, ndërsa vetëm 1 në 150 persona zhvillon formë të rëndë të sëmundjes. Për mungesë të një vaksine specifike, trajtimi mbetet mbështetës. Autoritetet shëndetësore këshillojnë:
- Shmangien e qëndrimit në natyrë gjatë agimit dhe muzgut, përdorimin e rrjetave mbrojtëse dhe eliminimin e ujërave të ndenjura.
- Kërkimin e menjëhershëm të ndihmës mjekësore nëse shfaqen simptoma si temperaturë e lartë apo ngurtësim i qafës.