Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u ndalua në pikën kufitare në Bllacë ose u vetëdorëzua, sipas burimeve të ndryshme. Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik.
Koalicioni VLEN ka reaguar menjëherë. Në deklaratën e tyre, ata e quajnë Grubi "kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së" dhe pjesëmarrës si dhe ekzekutor i marrëveshjeve të errëta të kësaj force politike.
Sipas VLEN-it, BDI dridhet nga frika se nuk di për çfarë është gati të flasë Grubi. Ata përmendin humbjen katastrofike të BDI-së në zgjedhjet lokale dhe premtimet e rreme të kryetarit të saj, Ali Ahmeti, për zgjedhje të parakohshme e hyrje në qeveri, të cilat dështuan.
Deklarata e plotë e VLEN-it:
"Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vete, mbetet për t’u parë."
Ky reagim vjen në kontekstin e tensioneve politike mes partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Përditësime
Artan Grubi ka qenë në kërkim për më shumë se një vit.
VLEN e quan Artan Grubin shtytës të Ali Ahmetit drejt "ekzekutimit politik".
Partia e përshkruan Grubin si "njeriu më i besuar i Ali Ahmetit", zbatues dhe koordinator të vendimeve kyçe, përfshirë marrëveshje prapa skenës, tenderë të dyshimtë dhe pazare politike.
VLEN përmend "arrestin shtëpiak" të Grubit dhe shton se BDI po përballet me momentin më të rëndë të ekzistencës së saj për shkak të "gjërave që Grubi di" dhe "aferave të errëta".