Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka shprehur kritika të ashpra ndaj ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, duke e akuzuar atë për standarde të dyfishta në raport me pavarësinë e sistemit gjyqësor. Reagimi i Çitakut vjen pas deklaratave të vazhdueshme të ambasadorit Hargreaves në mbështetje të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe parimit se Britania e Madhe nuk ndërhyn në çështjet gjyqësore.
Në kundërpërgjigjen e saj, Çitaku ka sjellë në vëmendje një episod të diskutueshëm lidhur me një bisedë telefonike midis ish-sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, dhe kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPNJ), Karim Khan. Sipas pretendimeve të kryeprokurorit Khan, Cameron kishte ushtruar presion mbi të në përpjekje për të penguar kërkesën për fletarrestim ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Çitaku citoi raportimet se ky presion përfshinte kërcënime për ndërprerjen e fondeve dhe tërheqjen e Britanisë së Madhe nga ky institucion gjyqësor.
Çitaku ka vlerësuar se heshtja e ambasadorit Hargreaves lidhur me këtë rast përbën një tregues të qartë të hipokrizisë, duke marrë parasysh kërkesat e vazhdueshme ndërkombëtare për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Ajo theksoi se standardet për pavarësinë e drejtësisë duhet të jenë unike dhe të pandikuara nga politika.
"Nëse drejtësia duhet të jetë e pavarur, e që pajtohem se duhet të jetë, atëherë duhet të jetë e pandikuar dhe e pavarur për të gjithë. Edhe kur bëhet fjalë për ju, zoti ambasador!", deklaroi Çitaku.