Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka shprehur mbështetjen e saj për protestat që po zhvillohen në Kosovë si reagim ndaj aktgjykimeve të Gjykatës Speciale në Hagë. Këto dënime, të cilat në tërësi arrijnë shifrën prej 81 vjetësh për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë nxitur revoltë në vend.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Çitaku theksoi se pjesëmarrja e të rinjve në këto protesta është një element domethënës. Ajo i cilësoi ata si “fëmijët e lirisë”, duke vlerësuar se ata janë rritur me dinjitet në një shtet të lirë dhe se ndjejnë nevojën për të mbrojtur historinë e vendit. Sipas Çitakut, të rinjtë nuk po protestojnë për motive partiake apo ideologjike, por për të mbrojtur vlerat e UÇK-së dhe lirinë e vendit.
Sipas saj, këta të rinj janë të pakontaminuar nga rrëfimet që ajo i cilësoi si të fabrikuara kundër UÇK-së. Ajo shtoi se brezi i ri e jeton lirinë çdo ditë dhe përmes pjesëmarrjes së tyre po dërgojnë një mesazh për mbrojtjen e vlerave të shtetit të Kosovës. Çitaku përfundoi reagimin e saj duke falënderuar të rinjtë për angazhimin, duke nënvizuar se mbështetja për ta është e pakursyer.