Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë thirrje për një lexim të vëmendshëm të një paragrafi në arsyetimin e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Çitaku ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si ky paragraf, konkretisht paragrafi 34, cilëson qëllimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe operacionet e saj.
Në reagimin e saj, Çitaku theksoi se përshkrimi i përdorimit të forcës ndaj atyre që kundërshtonin pavarësinë mund të krijojë precedentë negativë për mënyrën se si do të interpretohet lufta për liri në të ardhmen. Ajo kërkoi që qytetarët ta vlerësojnë këtë çështje në mënyrë racionale, larg simpative apo antipative politike.
Sipas saj, debati nuk duhet të kufizohet vetëm te katër ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Çitaku theksoi se nëse veprimet kundër kundërshtarëve të pavarësisë trajtohen si pjesë e një "ndërmarrjeje kriminale", atëherë në gjykim nuk janë vetëm individët, por vetë lufta për pavarësinë e Kosovës.
"Mos lejoni që mosdurimi ndaj katër emrave t’ju verbojë. Sepse çështja këtu shkon përtej tyre", ka deklaruar ajo, duke shtuar se përtej emrave të përveçëm, pasojat e këtij interpretimi prekin narrativën historike të vendit.