Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po zhvillohet në Hagë. Sipas saj, vendimi i pritshëm për datën 16 shtator nuk lidhet vetëm me fatin e katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por prek drejtpërdrejt mënyrën se si do të trajtohet historia e Kosovës dhe lufta e saj për liri.
Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Çitaku u bëri thirrje qytetarëve dhe aktorëve politikë që të tejkalojnë dallimet partiake dhe ta vendosin Kosovën në qendër të kësaj çështjeje. Ajo theksoi nevojën që ish-udhëheqësit e UÇK-së të mos vlerësohen nga prizmi i përkatësisë së tyre politike.
Duke iu referuar figurës së ish-presidentit, Çitaku deklaroi se në burg nuk ndodhet përfaqësuesi i një subjekti të caktuar politik, por përfaqësuesi i luftës dhe i shtetit. “Nuk është në burg Hashim Thaçi i PDK-së. Në burg është Hashim Thaçi i UÇK-së. Hashim Thaçi i Kosovës”, është shprehur ajo, duke shtuar se në burg ndodhet vetë historia dhe lufta për liri e popullit të Kosovës.