Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka vlerësuar qëndrimin dhe veprimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë të dhënë në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Çitaku u shpreh se Rama ka vepruar “si kryeministër i shqiptarëve”, duke theksuar se përtej deklaratave publike, ai ka ndërmarrë edhe veprime të tjera të panjohura për publikun në mbështetje të këtij procesi.
Deklaratat vijnë në një moment thelbësor, në prag të shpalljes së vendimit përfundimtar për katërshen e akuzuar: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Për këtë angazhim, Çitaku deklaroi se i është përjetësisht mirënjohëse kreut të qeverisë shqiptare.
Në të njëjtën intervistë, deputetja e PDK-së mbajti një qëndrim kritik ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ajo e cilësoi atë si “njeri të vogël”, duke e kritikuar për atë që e konsideroi si mungesë vëmendjeje dhe angazhimi të pamjaftueshëm në një nga proceset më të rëndësishme për historinë e shtetit të Kosovës dhe luftën e UÇK-së.