Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në qytetin e Vlorës, ku pronari i një pike të këmbimit valutor, i njohur si exchange, i është drejtuar Policisë së Vlorës me një kallëzim penal. Sipas denoncimit të pronarit, një punonjëse e re e këtij subjekti është larguar nga vendi i punës pasi ka marrë shumën prej 5 mijë eurosh nga arka.
Ngjarja ka ndodhur në ditën e parë të punës të të resë, e cila është identifikuar si Kumrie Zika. Sipas të dhënave, shtetasja në fjalë ka qenë më herët e arrestuar dhe ishte liruar nga paraburgimi vetëm 2 javë më parë, duke iu caktuar masa e sigurisë 'detyrim paraqitje'.
Pas konstatimit të mungesës së parave dhe largimit të punonjëses, pronari ka njoftuar autoritetet policore, të cilat kanë nisur verifikimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij rasti. Përveç veprimeve procedurale të ndërmarra nga policia, pronari i exchange-it i ka bërë thirrje punonjëses që të kthejë shumën e marrë, me synim zgjidhjen e situatës pa pasoja të mëtejshme.