Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës në qytezën Vescovato, në provincën e Cremona-s. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, konflikti që çoi në vrasjen e Nurian Dalipaj dhe plagosjen e vëllait të tij 20-vjeçar e ka zanafillën në një lokal në Cremona, ku punon ish-partnerja e autorit të dyshuar, Mattia Miraglia.
Rreth orës 23:00, Miraglia pa Dalipajn duke biseduar me ish-të dashurën e tij dhe i kërkoi këtij të fundit të dilte jashtë lokalit për të sqaruar situatën. Pas një debati verbal dhe një përleshjeje fizike, ku ndërhynë personat e pranishëm për t'i ndarë, Miraglia u largua drejt banesës së tij në rrugën “Via Cairoli”. Pak kohë më vonë, Dalipaj së bashku me dy vëllezërit e tij u paraqitën para banesës së 32-vjeçarit. Në këtë moment, Miraglia doli nga shtëpia i armatosur me një thikë kuzhine. Përplasja e dytë rezultoi fatale, ku Dalipaj u godit me thikë në fyt, ndërsa vëllai i tij mori një plagë në bark.
Të tre vëllezërit u drejtuan menjëherë drejt Spitalit Maggiore në Cremona. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Nurian Dalipaj nuk mbijetoi, ndërsa vëllai i tij 20-vjeçar iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet në repartin e terapisë intensive në gjendje të qëndrueshme. Vetë autori, Mattia Miraglia, pësoi një dëmtim në dorë dhe po mbahet nën mbikëqyrje policore në të njëjtin spital nën akuzat për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
Miq të Miraglias kanë pohuar për mediat se tensionet mes palëve kishin nisur prej kohësh, duke pretenduar se një muaj më parë Dalipaj ishte paraqitur sërish pranë banesës së autorit, rast për të cilin ishin njoftuar karabinierët. Kryebashkiaku i Vescovato-s, Alfredo Gorni, e cilësoi ngjarjen si një episod të rëndë që bie ndesh me vlerat e komunitetit lokal. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes vijojnë nga forcat e rendit.
Përditësime
Hetimet për vrasjen e 24-vjeçarit shqiptar në Vescovato kanë zbuluar detaje mbi dinamikën e ngjarjes. Autori, Mattia Miraglia, një shofer me origjinë nga Sicilia pa precedentë penalë, dyshohet se e nisi konfliktin në Bar Centrale (rruga Via Bissolati). Në debat ishte i përfshirë edhe një person i tretë ende i paidentifikuar. Pas sherrit fillestar, Miraglia u kthye në banesë përpara se të përballej sërish me viktimën.
Autoritetet italiane kanë konfirmuar zyrtarisht arrestimin e 32-vjeçarit Mattia Miraglia, i dyshuar për vrasjen e 24-vjeçarit shqiptar në Vescovato. Sipas hetimeve, autori ka dëgjuar afrimin e vëllezërve Dalipaj drejt banesës së tij dhe ka dalë i armatosur me thikë për t'u përballur me ta. Konflikti, i cili nisi në një lokal në Via Bissolati (Cremona), u përshkallëzua në përplasje fizike, ku provat mjeko-ligjore konfirmuan njolla gjaku në trotuarin përballë Piazza Roma.
Hetimet për vrasjen e 24-vjeçarit Nurian Dalipaj në Vescovato, një qytezë me 4 mijë banorë, kanë zbardhur dinamikën e ngjarjes. Autoritetet konfirmuan se vajza e pranishme në lokal nuk ishte një njohje e rastësishme, por një shoqe e vjetër e viktimës. Sipas burimeve hetimore, konflikti mes Mattia Miraglia dhe viktimës kishte nisur prej kohësh, për shkak të një lidhjeje sentimentale të përbashkët.