Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Viktor Bardhit, ndodhur javën e kaluar në Mirditë, forcat e policisë kanë ushtruar kontrolle në 5 banesa të pjesëtarëve të fisit Reçi, si dhe të personave të afërt me ta. Operacioni është zhvilluar me vendim të Gjykatës së Lezhës, me qëllim gjetjen e provave materiale dhe mjeteve që mund të lidhen me këtë ngjarje kriminale.
Sipas të dhënave, Viktor Bardhi, 65 vjeç, u gjet i pajetë brenda automjetit të tij në fshatin Ndërfushëz. Nga hetimet paraprake, dyshohet se autorët, të cilët mbeten ende të paidentifikuar, kanë përdorur një pistoletë të pajisur me silenciator për të kryer krimin. Grupi hetimor po vijon verifikimet për të analizuar dinamikën e ngjarjes, duke u fokusuar veçanërisht në pistën e hakmarrjes dhe përplasjet e mëparshme ndërmjet familjeve Bardhi dhe Reçi. Deri më tani, nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë ekzekutim.