Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku një vrasje e dyfishtë ka lënë të vdekur Nafije Ramushin dhe Egzon Bogujevcin, të dy të moshës rreth 30-vjeçare. Nga ky incident ka mbetur i plagosur edhe xhaxhai i viktimave. Sipas raporteve të Policisë së Kosovës, Egzon Bogujevci është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa Nafije Ramushi ka ndërruar jetë pasi është transportuar pa shenja jete në Emergjencën e Gjilanit.
I dyshuari për këtë krim, Valon Ramushi, është vetëdorëzuar pranë autoriteteve policore menjëherë pas ngjarjes. Ramushi është sipërmarrës, pronar i biznesit Loni Therm dhe i një lagjeje banimi në Makresh. Ndonëse motivet mbeten nën hetim, burimet mediatike sugjerojnë se shkak për ngjarjen mund të ketë qenë një kërkesë për divorc mes bashkëshortëve.
Gjatë operacionit të bastisjes në banesën e të dyshuarit, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh dhe municionesh, përfshirë:
- 2 armë të gjata me leje të skaduar
- 1 pistoletë pa leje
- 1 armë pneumatike
- 520 fishekë
- 1600 diabolla
Autoritetet po punojnë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit për zbardhjen e plotë të rrethanave. Gazeta Sinjali ka theksuar se personat e apostrofuar në këtë rast prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Përditësime
Policia konfirmoi plagosjen e xhaxhait të viktimave dhe sekuestroi një arsenal armësh gjatë bastisjes në banesën e Valon Ramushit.