Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Grazit në Austri, ku Abigel Laçi, 24 vjeçe, me origjinë nga Vlora, është gjetur e pajetë brenda banesës ku bashkëjetonte me partnerin e saj. Policia u njoftua për rastin në orën 12:40 të së enjtes, më 3 shtator, dhe pas mbërritjes në vendngjarje, konstatoi se viktima kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Në lidhje me këtë rast, forcat e rendit kanë arrestuar një 23-vjeçar, i cili u kap në shkallët e pallatit ku ndodhi ngjarja. Dëshmitarët në vendngjarje deklaruan se i riu ishte i mbuluar me gjak në momentin e ndalimit. Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar kishte hyrë me forcë në apartament në një kohë kur Abigel Laçi ndodhej e vetme.
Hetuesit kanë bërë të ditur se mjeti i përdorur për kryerjen e krimit dyshohet të jetë një çekiç. Trupi i viktimës i është nënshtruar autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve. I dyshuari, i cili është vëllai i partnerit të viktimës, deri më tani ka zgjedhur të mos japë asnjë shpjegim për rrethanat e ngjarjes gjatë marrjes në pyetje.
Përditësime
Autoritetet austriake konfirmuan se i dyshuari pritet të dërgohet në institucionin e paraburgimit në Graz-Jakomini në pritje të zhvillimeve të mëtejshme gjyqësore. Ngjarja tragjike ndodhi brenda një apartamenti në qendër të qytetit të Grazit.