Pas rikthimit në elitën e futbollit kosovar, Vushtrria ka nisur zyrtarisht fazën përgatitore për sezonin 2026/27. Seanca e parë stërvitore është drejtuar nga kryetrajneri i ri, Besnik Kollari, i cili së bashku me stafin teknik ka vënë në lëvizje skuadrën për të vendosur bazat e një ekipi konkurrues.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesa e parë e punës do t’i kushtohet ngritjes së nivelit fizik të lojtarëve, element ky që vlerësohet si themelor për përballimin e një kampionati të gjatë dhe sfidues. Përveç grupit ekzistues, në seancat e para janë përfshirë edhe disa lojtarë të rinj, ndërkohë që drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se në ditët në vijim priten përforcime të tjera cilësore për të shtuar konkurrencën brenda grupit.
Objektivi i klubit është ndërtimi i një ekipi dinjitoz që do të rivalizojë me sukses në Superligë. Atmosfera brenda klubit është optimiste pas rikthimit në elitë, me mesazhin e përcjellë nga vetë klubi: "Kampionët janë rikthyer. Puna ka nisur. Superliga, po vijmë!"