Ish-diplomati i lartë austriak, Wolfgang Petritsch, vlerëson se mundësia e tërheqjes së një pjese të trupave të NATO-s nga Kosova lidhet ngushtë me presionin ndaj aleancës nga ana e Uashingtonit.
Sipas Petritsch, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur publikisht se synojnë të reduktojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë, fakt që ndikon drejtpërdrejt edhe në situatën e sigurisë në Kosovë. Në një deklaratë për RTK-në, ai theksoi domosdoshmërinë që Kosova të zgjidhë çështjet e hapura dhe të përgatitet për të marrë vetë përgjegjësitë për sigurinë e saj, përmes forcimit gradual të kapaciteteve mbrojtëse.
"Do t’ju duhet të merrni vetë përgjegjësinë për sigurinë tuaj. Do t’ju duhet të bëheni një ofrues sigurie për Kosovën dhe për rajonin. Duhet të bëheni një faktor stabilizues", deklaroi Petritsch.
Ai gjithashtu kërkoi që vendi të shndërrohet në një partner më konstruktiv në Evropë, duke lënë pas rolin e një konsumatori të sigurisë së jashtme.